Kombëtarja shqiptare nisi dje zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të “UEFA Nations League” ndaj Çekisë dhe Ukrainës. Disa prej lojtarëve kishin mbërritur në Tiranë, ndërsa grupit pritet të jetë i plotë ditën e martë. Në seancën e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” morën pjesë Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ardian Ismajli, Arbër Hoxha, Mario Mitaj, Alen Sherri, Simon Simoni, Elseid Hysaj, Andi Hadroj, Thomas Strakosha dhe Feta Fetai.
Me grupin kuqezi u bashkuan edhe një pjesë të mirë të lojtarëve të kombëtares U-21, që janë grumbulluar në kuadër të dy ndeshjeve miqësore me Moldavinë, të cilat do të luhen në Shqipëri më 15 dhe 18 nëntor. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se Berat Gjimshiti, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e nëntorit. Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udinese, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar.
Pas komunikimit të stafit mjekësor të kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin. Sakaq, Rey Manaj ka mbërritur dje në grumbullim dhe iu është nënshtruar menjëherë testeve mjekësore. Pas shqyrtimit nga ana e stafi mjekësor u konkludua se sulmuesi nuk mund të rikuperohet në kohë dhe u vendos që Manaj të rikthehet në klubin e tij për të vijuar me programin e rikuperimit.
Për shkak të këtyre katër mungesave, trajneri Silvinjo ka vendosur të grumbullojë për dy ndeshjet e nëntorit Adrian Bajramin, Jon Mersinajn dhe Arbnor Mujën. Lojtarët pritet të bashkohen me kuqezinjtë gjatë të martës për të nisur stërvitjen.