Qëllohet me armë ndaj avionit, plagoset stjuardesa

Foto ilustruese
Një ditë pas shkarkimit të kryeministrit të Haitit, aeroporti në Port-au-Prince u mbyll pasi një aeroplan që po vinte nga SHBA u qëllua me armë.

Një fluturim i Spirit Airlines që po përpiqej të ulej në Port-au-Prince, Haiti, u qëllua të hënën dhe u detyrua të devijonte, duke shënuar një përshkallëzim të dhunës që ka përfshirë vendin.

Fluturimi 951, i cili ishte nisur nga Fort Lauderdale i Floridës drejt Aeroportit Ndërkombëtar ‘Toussaint Louverture’ në Port-au-Prince, u qëllua disa herë dhe u ul në Santiago, në Republikën Dominikane, sipas zëdhënësit të kompanisë, Tommy Fletcher.

“Inspektimi zbuloi prova të dëmtimit të aeroplanit, që përputheshin me të shtëna me armë,” tha Fletcher në një deklaratë. “Një prej stjuardesave në bord pësoi lëndime të lehta dhe po vlerësohet nga personeli mjekësor.”

Sipas linjës ajrore, asnjë pasagjer nuk u lëndua. Spirit pezulloi fluturimet drejt Port-au-Prince dhe qytetit verior të Haitit, Cap-Haïtien. Avioni u nxor jashtë shërbimit.

Ndërkohë, Haiti vazhdon të jetë nën sulmet e bandave kriminale.